Për protestën e opozitës përpara Bashkisë së Tiranës ka reaguar delegacioni i BE-së edhe Ambasada Amerikane në Tiranë.

Delegacioni i Bashkimit Europian ka dënuar dhunën në këtë protestë dhe shprehet se akte të tilla dhune nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protesta paqësore.

REAGIMI I BE-së

“Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete ndezëse të improvizuara në godinën e bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë fare me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagim.

*Edhe SHBA dënon dhunën e ushtruar gjatë protestës, teksa thekson se aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune.

REAGIMI I AMBASADËS AMERIKANE

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme.”