Pak orë para protestës, kryetari i PD, Sali Berisha iu ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen aksionit opozitar.

Nga selia blu, Berisha tha se protesta e orës 17:00 para Parlamentit shënon vazhdimin e revolucionit demokratik kundër qeverisë.

Kryedemokrati nuk i kurseu akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.

“Të bashkohemi sot në 5 në një protestë të fuqishme para Parlamentit shqiptar. Kjo protestë që shënon vazhdimin e revolucionit demokratik, ka për qëllim madhor ngritjen e zërit, revoltën kundër dhunimit, kundër shkelmimit të interesave të 750 mijë zgjedhësve shqiptarë, të cilët në datën 25 prill votuan për partitë opozitare. Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve trajtohen në Parlamentin shqiptar me praktika staliniste, kriminale të turpshme. Përfaqësuesit e këtyre 750 mijë qytetarëve shqiptarë që kanë detyrë themelore mbrojtjen e interesave të tyre, kanë detyrë themelore kontrollin e qeverisë dhe transparencës nga abuzimet, përjashtohen, bllokohen, iu mohohet e drejta e fjalës dhe nuk lejohen të ngrejnë komisione hetimore parlamentare”,-tha Berisha.