Motra e Egli Progës ka mbajtur fjalën e saj para qytetarëve, të cilët janë mbledhur para Kryeministrisë në tubimin e organizuar për 42-vjeçarin, i cili u dhunua për vdekje para disa ditësh në Pogradec.
Gjatë fjalës së saj, motra e 42-vjeçari u shpreh se vëllai i saj “nuk vdiq nga një grusht, por u vra nga 4 kriminelë në bashkëpunim me njëri-tjetrin”.
Ajo shtoi se këto 9 ditë drejtësia nuk ka bërë asgjë, ndërsa “autorët pijnë raki”.
“Prokuroria, gjykata dhe policia ta dëgjojnë mirë. Egli u vra nga 4 kriminelë në bashkëpunim me njëri-tjetrin.
Unë nuk akuzoj pa bazë vetëm sepse më ka vdekur vëllai me të cilin u rrita. I thashë prokurores se nuk mund ta bëjë drejtësinë e vëllait tim. Ai u qëllua nga 4 barbarë.
Njëri prej tyre u dorëzua në formë të kontrolluar, të tjerët kanë 9 ditë që pinë raki. Kjo është drejtësia? Prokurorja që la barbarët të pinë raki u hoq nga çështja pas kërkesës sime.
Horri që ka marrë përispër vrasjen është organizuar që ta marrë ai që të shpëtojnë të tjerët.
Ky maskara kur u dorëzua në polici tha se Eglin nuk e preku fare me dorë. Nuk ka dëshmitarë, kamera. Përse u dorëzua kur nuk ka prova? Sepse thanë se Egli vdiq nga pija?
Një nga vrasësit e vëllait tim fjeti gjumë dhe thirri avokatin për t’u dorëzuar. Ky maskara tha se Egli vdiq vetë, nuk e preku me dorë.
Policia e pa për 30 minuta që lëngonte në rrugë dhe nuk e prekën me dorë. Maskarai që e vrau, e pa dhe nuk e ndihmoi. Ai ka emër, Leonidha Guçe”, u shpreh ajo.