Policia serbe ka arrestuar të paktën 38 persona që morën pjesë në një protestë kundër zgjedhjeve në fillim të këtij muaji, për të cilat vëzhguesit ndërkombëtarë thanë se ishin të padrejta.

Grupi opozitar ‘Serbia Kundër Dhunës’ ka organizuar protesta që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, duke thënë se ka pasur mashtrime zgjedhore, veçanërisht në kryeqytetin, Beograd.

Populistët qeverisës u shpallën fitues të zgjedhjeve parlamentare dhe të këshillave vendore.

Disa politikanë të opozitës reaguan duke hyrë në grevë urie.

Të dielën në mbrëmje, protestuesit u përpoqën të hynin në Kuvendin e Beogradit, duke thyer xhamat, përpara se policia t’i kthente duke përdorur gaz lotsjellës, sprej piper dhe shkopinj.

Më shumë protesta u mbajtën mbrëmjen e së hënës. Qindra u mblodhën jashtë selisë së komisionit shtetëror zgjedhor në Beogradin qendror përpara se të ecnin drejt selisë së policisë së qytetit, ku besohet se mbahen mbështetësit e opozitës të ndaluar.