Rreth 20 persona janë shoqëruar nga policia e Tiranës deri më tani për protestën e dhunshme të Sali Berishës, mes tyre edhe këngëtari Stresi. Reperi i njohur, që është djali i Sali Lushës, ish-badigard i Sali Berishës, ka postuar në rrjetet sociale edhe video nga furgoni i Policisë ku thotë se nuk ka hedhur asnjë gur.
Të ndaluarit janë dërguar në komisariate dhe në drejtorinë vendore të policisë në kryeqytet. Shumica e të shoqëruarve janë kapur në flagrancë dhe akuzohen për shkatërrim prone, kundërshtim të forcave të policisë dhe bllokim të qarkullimit rrugor.
Policia e Shtetit bëri të ditur se “do të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale të gjitha provat, në funksion të hetimit, si dhe do të kryhet me rigorozitet e paanësi të plotë ligjore, çdo veprim procedural i nevojshëm, me qëllim zbardhjen e plotë të të gjithë dinamikës së kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve të përfshirë në akte dhune, për të garantuar nxjerrjen e tyre pa dallim, para drejtësisë”.
Prej orës 13:00, ekspertet ligjore po grumbullojnë provat materiale të lëna pas nga dhuna si edhe vëzhgimin e kamerave të sigurisë së selisë blu për identifikimin e gjithë atyre që thyen rendin dhe sigurinë publike.