Pavarësisht masave shtrënguese dhe postblloqeve të policisë, në protestën e sotme të mbajtur në Tiranë morën pjesë drejtues të lartë të Partisë Demokratike, dega Durrës si dhe mbështetës të kësaj force politike dhe të kauzës së Teatrit Kombëtar.

Në foton e siguruar nga DurrësLajm bie në sy prania e ish-deputetit Oerd Bylykbashi, kreut të degës Ferdinand Xhaferaj, sekretarit Luan Hoti, si dhe krerëve të disa grup-seksioneve. Protesta e pasdites së sotme zgjati përreth 2.5 orë dhe ata që u ngjitën në podium për të mbajtur fjalën e rastit ishin kryesisht anëtarë të Shoqërisë Civile, artistë dhe aktivistë që për më shumë se 27 muaj mbrojtën Teatrin Kombëtar nga shembja.

Protesta u organizua një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar. Policia ndërhyri me forcë dhe dhunoi protestuesit që në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku disa artistë, aktivistë dhe politikanë u tërhoqën zvarrë. Po ashtu shumë prej tyre u shoqëruan në komisariatet e policisë.