Tallje e madhe me njerëzit nga politikanët pa atdhe, e ka konsideruar Kryeministri Edi Rama uljen e qepenave të tregjeve mesditën e sotme.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se tregjet janë jashtë skemës së TVSH-së dhe biznesi i vogël ka taksa zero.
Sipas Kryeministrit, TVSH-ja ndaj biznesit të vogël është futur për të kontrolluar bizneset e mëdha.
“Protesta e uljes së qepenave në tregjet bashkiake tallje e madhe me njerëzit nga politikanët pa atdhe!Sepse tregjet JANE JASHTE SKEMES së TVSH!Ne bëmë ZERO taksën e Biznesit të Vogël dhe futja në TVSH e të vegjëlve nuk rrit aspak barrën mbi ta po siguron kontrollin e të mëdhenjve”, është reagimi i Kryeministrit Edi Rama.
Bizneset e vogla mbyllën sot aktivitetin tregtar për 60 minuta në shenjë proteste kundër TVSH-së që hyri në fuqi më datë 1 prill. Edhe tregtarët e Durrësit iu bashkuan kësaj proteste duke ulur qepenat e duke deklaruar se ata qeveria do i çojë automatikisht drejt falimentimit.





