Policia e Shtetit ka marrë masat për seancën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, teksa jashtë saj pritet të zhvillohet protesta e opozitës.

Jashtë Kuvendit vihen re forca të shtuara të uniformave blu të cilat janë vendosur kordon përpara sheshit ku pritet të vendosen protestuesit. Ndërkohë protestuesit janë nisur tashmë nga rrethet e ndryshme të vendit drejt Tiranës.

Partia Demokratike në bashkëpunim me aleatët e saj do të protestojë sot para parlamentit për të kundërshtuar zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm. Do të jenë kryetarët e degëve të PD-së që do të mbajnë peshën kryesore të menaxhimit të pjesëmarrësve. Ndërsa deputetët e Partisë Demokratike do të jenë pjesë e parlamentit, ku do të debatojnë me mazhorancën si dhe do të organizohen për të mos lejuar, sipas tyre, votimin e njëanshëm dhe në shkelje të kushetutës së kryeprokurorit të përkohshëm.

Ashtu si dhe më parë, një pjesë e deputetëve do të dalin nga salla e kuvendit, për t'iu drejtuar pjesëmarrësve të protestës.

Demokratëve do t’i bashkohen po ashtu dhe mbështetësit e Lëvizjes Socialiste për Integrim.