Aleanca për Mbrojtjen e Qytetarëve ftoi qytetarët sot në orën 16:30 të jenë të pranishëm në protestë, si kundër-reagim për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Protesta do të mbështetet edhe nga opozita.
Tashmë nëpër rrethe kanë nisur përgatitjet dhe po shkojnë në Tiranë protestues për t’iu bashkuar kauzës.
Kreu i degës së PD-së së Fierit, Luan Baçi denoncon ndalesa dhe presione që po iu bëhen qytetarëve për të mos shkuar në Tiranë.
“Që në mëngjes kanë nisur të lëvizin shumë protestues me mjetet e tyre. Kemi informacione se mjetet e para që mbërrijnë në Durrës bllokohen. Ka pasur dy tre makina që janë kthyer. Kemi gjetur rrugë tjetër që të hyjmë drejt Tiranës. Ne nuk do të ndalojmë, por policia po bën presion sidomos me ata protestues që janë në hetim dhe kanë procedime penale. Jo më larg nga sot tre nga protestuesve u kanë ardhur thirrje për daljet në gjyq në Tiranë. Kanë nisur dhe telefonatat për kryetarët e grup seksioneve dhe nisin t’u bëjnë presione.”
Mëngjesin e sotëm policia e Durrësit ka shtuar kontrollet në autostradën Durrës-Tiranë, duke ngritur postoblloqe dhe radarë për të kontrolluar çdo lëvizje në këtë aks.





