Distanca e gjatë prej rreth 3 km që nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Shefqet Ndroqi” në Romanat detyrohen për të përshkuar në këmbë çdo ditë është një shqetësim i vazhdueshëm jo vetëm për ata, por edhe për komunitetin e prindërve.

Pak ditë më parë ata organizuan dy protesta për t’i kërkuar institucioneve vendore zgjidhjen e kësaj problematike.

Dhe duket se zgjidhja konkrete nuk do të vonojë.

“I jemi drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pasi auditi dhe rekomandimet e tyre kanë lënë që zbatimi i VKM-së duhet bërë në kushtet nqs ka fshatra të cilat kanë një shtrirje edhe mbi 2 km nuk duhet të paguhen nxënësit, kemi kërkuar që të ndryshohet kjo me Vendim të Këshillit të Ministrave. Besojmë se do të ketë një ndryshim të menjëhershëm të rimbursimit të prindërve. Ne kemi folur dje me ministren, që ishte në Durrës në inaugurimin e një shkolle të re dhe mendojmë që do të marrë një zgjidhje të shpejtë dhe më tej do të vijojnë procedurat për të ndryshuar VKM-në”, – deklaroi kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako.

Në mbështetje të prindërve përgjatë ditëve të protestave ishte dhe anëtarja e Këshillit Bashkiak Durrës, Anisa Ibraj. Përveç rimbursimit të transportit urban për këta nxënës, Ibraj ngriti shqetësimin edhe përsa i përket infrastrukturës rrugore të aksit në fjalë.

Kjo rrugë kombëtare pritet t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit.

“Kjo rrugë është futur në prioritetet e qeverisë shqiptare dhe paralel me autostradën Tiranë – Durrës do të fillojë dhe aksi i rrugës së Ndroqit, duke nisur nga Tirana për të ardhur deri në Durrës”.

M.B.