Autoritetet turke kanë arrestuar 343 persona në protestat e mbajtura gjatë natës në disa qytete, demonstrata të organizuara kundër arrestimit të kryetarit të Stambollit Ekrem Imamoglu ka deklaruar Ministria e Brendshme më 22 mars.

Protestat u mbajtën në dhjetëra qytete, përfshirë në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll dhe në kryeqytetin Ankara.

Në njoftim u tha se arrestimet u kryen për të parandaluar “prishjen e rendit publik” dhe u paralajmërua se autoritetet nuk do të tolerojnë “kaos dhe provokim”.

Dhjetëra mijëra turq po protestojnë, kryesisht në mënyrë paqësore, që nga e mërkura, kur Imamoglu u arrestua nën akuzat për korrupsion dhe ndihmë ndaj një grupi terrorist.