Tabloidi britanike DailyMail ka pasqyruar protesten e opozitës një ditë më parë në Tiranë, ku siç shkruan ajo “Policia përdori gaz lotsjellës dhe uji ndaj protestuesve që hodhën bomba molotov dhe flakadanë”.
Më tej në shkrim thuhet se mijëra mbështetës të opozitës kërkonin dorëheqjen e qeverisë së Shqipërisë.
“Qeveria e kryeministrit Edi Rama është vënë nën presion për shkak të akuzave për korrupsion që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, por Rama u ka rezistuar thirrjeve për shkarkimin e saj. Janë shtuar kërkesat që deputetët t’i heqin Ballukut imunitetin nga ndjekja penale, gjë që mund të bëhet vetëm me një votim në parlament.
Prokurorët kundër korrupsionit kanë akuzuar Ballukun, e cila është gjithashtu ministre e energjisë dhe infrastrukturës, për ndërhyrje në prokurimet publike për projekte ndërtimi me qëllim favorizimin e disa kompanive, dhe kanë kërkuar heqjen e imunitetit të saj.
Në protestën e së martës mbrëmja në kryeqytetin shqiptar morën pjesë mijëra persona. Ishte demonstrata e tretë e tillë në muajt e fundit që kërkon dorëheqjen e Ramës. Më shumë se 1300 efektivë policie ishin dislokuar për të garantuar sigurinë. Edhe protestat e mëparshme u shndërruan në të dhunshme, me demonstrues që hodhën bomba molotov dhe gurë ndaj policisë dhe një ndërtese qeveritare, ndërsa autoritetet u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe topa uji”.
Kreu i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, e përshkroi protestën si një “kryengritje paqësore” në një moment kritik për Shqipërinë. Duke folur në protestë, ai akuzoi Ramën se “ka shpallur luftë ndaj sistemit të drejtësisë”.
Shqipëria shpreson t’i bashkohet Bashkimit Europian dhe është nën monitorim të rreptë nga blloku si pjesë e procesit të anëtarësimit, të cilin synon ta përfundojë deri në vitin 2027. Megjithatë, organizatat ndërkombëtare vëzhguese thonë se vendi vazhdon të vuajë nga korrupsioni i përhapur.





