Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka zhvilluar inspektime në godinat e Qytetit Studenti Nr.2, pranë "21 dhjetorit" në Tiranë, ku zhvilloi edhe një takim me drejtoreshën e Rezidencës Studentore Nr.2, Zhanin Dapi, e cila zbuloi se në çdo kat studentët do të kenë një kuzhinë të përbashkët.

Nga ana tjetër, Nikolla u premtoi studentëve, të cilët prej ditësh protestojnë për një arsim më cilësor dhe kushte më të mira në godinat e konvikteve, se vitin tjetër do kenë ndryshime radikale.

"Në janar studentët do e provojnë vete se çfarë do të thotë të investosh me standarde dhe ta kesh prioritet jetesën e studentëve. Hera e parë që investohet 18 milionë euro dhe besoj do të kemi ndihmë për të pasur edhe më me shumë projekte investuese", deklaroi ministrja Nikolla

Ministrja Nikolla deklaroi se investimi për godinat e studentëve është prioritet i qeverisë pasi janë akorduar 18 milionë euro.

"E kënaqur nga sa pashe, është godina e tretë nga katër godinat këtu në qendrën studentore Nr.2, që do të akomodojë studentë të inxhinierisë. Dy godina kanë përfunduar, kjo është e treta, vijojnë punimet tek e katërta. Standarde që kurrë nuk i kemi parë në godina studentore, qoftë në apartamentet ku ata do të akomodohen, po ashtu edhe me gjithçka tjetër që ka të bëjë me standardet, pra duke pasur një kuzhine të përbashkët në çdo kat, duke mundësuar sallën e studimit, internet në çdo dhomë", tha ajo.