TIRANË,13 nëntor 2013 – ‘Stop Armëve Kimike në Shqipëri” kjo ka qene motoja e protestave  gjatë ditës së sotme në disa qytete të vendit. Në Tiranë, protesta eshte zhvilluar në sheshin përpara Piramides, me thirrjet: "Jo armëve kimike në Shqipëri!!!”. “Është detyrë e çdo qytetari të vendosë një gur në themelet e barrikadës së vullnetit popullor ku duhet të ndalet qeveria Rama”, thanë organizatorët e protestës. Persona publikë, personalitete të njohur të fushës së artit e medias, intelektualë të ndryshëm, qytetarët të moshave të ndryshme janë sensibilizuar ditën e sotme në kryeqytet dhe kanë protestuar kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. “Qeveria të mos lejojë armët në atdheun tonë… Shqipëria është e shqiptarëve…Nuk duam helme të infektojmë fëmijët…”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve. Fjalën e morën mësues, prindër, gjyshe, studentë të cilët shprehën frikën që ndjejnë ndaj armëve kimike që përflitet se do të sillen në Shqipëri për asgjësim.Pas protestimit tek piramida protesta për armët kimike është zhvendosur para presidencës. Protestuesit janë ulur në bulevard pranë Presidencës dhe i bëjnë thirrje Presidentit Nishani të mos firmos për armët kimike. Protestat do te vijojne edhe ne ditet ne vijim. Të enjten protesta do te mbahet  para Parlamentit. Protestave i jane bashkuar edhe  studentët e Ekonomikut dhe ata të Universitetit Politeknik. 

Ambientalisti Sazan Guri tha se:

“Shqipëria nuk ka shpatulla për të marrë përsipër këtë. E tha dhe kryetari i Parlamentit. Nëse nuk do të ndodhë do të arrijmë deri në mosbindje civile. Do shkojmë në Durrës t’i ndalojmë". “Jemi ne që ju kemi zgjedhur. Jo armëve kimike”

Nërkohë, në Elbasan, organizata “Studentët e rinj për veprim”, drejtues të Këshillit të Qarkut të Elbasanit dhe qytetarë të organizuar kanë protestuar në bulevardin “Aqif Pasha” kundër asgjësimit të armeve kimike në Mjekës të Elbasanit. “Nuk duam të vdesim të helmuar nga armët kimike”, ishin thirrjet e disa prej protestuesve në protestën e sotme. 

Edhe në qytetin e Korçës, Lushnjes,  jane zhvilluar protesta te qytetareve kunder armeve kimike ne Shqiperi.