Banorët e një pallati në rrugën “Abaz Çelkupa”, në lagjen nr.12, pranë ish-cirkut, kanë zhvilluar mëngjesin e sotëm një protestë para bashkisë Durrës.

Rikonstruksioni i pallatit me dëme DS4 ka nisur në muajin qershor të këtij viti, por ai është ndërprerë në muajin gusht dhe nuk ka rinisur ende.

Pavarësisht insistimit të banorëve, ata nuk kanë marrë nga bashkia një përgjigje konkrete për këtë çështje, ndërkohë që që nga muaji gusht nuk u ka kaluar as bonusi i qirasë.

Një banore e pallatit me 100 familje tregon edhe kërkesën për takim me kryetaren e bashkisë që kanë paraqitur në zyrën e informacionit, ndërkohë që u është komunikuar se kryetarja nuk mund t’i presë.

“Ne duam një shpjegim: Na kanë thënë që sot do të merrni një përgjigjje me shkrim nga shefi i Urbanistikës për të na sqaruar; përse janë ndërprerë ndërtimet dhe kur do të fillojnë. Ne vijmë për të marrë një përgjigje dhe nuk na presin.”

Banorët kërkojnë të dinë ç’do të bëhet me pallatin e tyre, pasi prej gati 2 vitesh janë në shtëpi me qira, ndërsa godina ku kanë investuar mundin e një jete është e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Pasi një përfaqësi e banorëve u fut në bashki, ata sërish mbetën pa përgjigje.

“Na u tha që drejtori i Urbanistikës nuk është në bashki dhe nuk ka lënë asnjë shkresë për ne. Ne sot prapë gjendemi pa përgjigjje.”