Manifestime kundër ndryshimit të emrit dhe ligjit për shqipen. Dhjetëra mijëra njerëz mbështetën manifestimin kundër qeverisë në Shkup natën e të shtunës.
Kristian Miçkovski, kreu i VMRO-DPMNE-së në opozitë që organizoi protestën kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Zaev dhe zgjedhje të parakohshme.
Ai e akuzoi kryeministrin për tradhti. Paralajmëroi se nuk do të mbështesë në parlament ndryshimin e emrit kushtetues të vendit, miratimi i të cilit kërkon edhe votat e opozitës. Edhe ligjin e gjuhës shqipe Miçkovski e quajti anti-kushtetues dhe tha se Maqedonia u takon maqedonasve.
Mediat greke shkruajnë se “Republika e Maqedonisë Veriore” do të jetë emri i ri i ish-republikës jugosllave. Marrëveshja është arritur dhe pritet të nënshkruhet nga kryeministrat Cipras e Zaev.