14 nëntor 2013- Proteste masive para parlamentit kunder sjelljes se armeve kimike dhe shkaterrimit te tyre ne Shqiperi. Grupe qytetarësh, studentësh, nxënësish dhe aktivistë të mbrojtjes së mjedisit vijuan sot protestën e tyre në qytete të ndryshme të vendit, kundër shkatërrimit të armëve kimike të Sirisë në territorin shqiptar. Protestues të shumtë u mblodhën sot në orën 09:30 në sheshin përpara parlamentit në Tiranë, ku protestuan në mënyrë paqësore për disa orë dhe më pas iu drejtuan sheshit përpara kryeministrisë. Protesta ka nisur ne oren 09.30 minuta para Parlamentit, ku jane mbledhur mijera qytetare, nxenes e studente me thirrje e parulla kunder armeve kimike.Protesta, ka paralizuar edhe qarkullimin, pasi rezultojne te bllokuara akset qe te shpien te Kuvendi i Shqiperise. Protestes  i jane bashkuar edhe studentë dhe gjimnaziste te cilet kane braktisur mesimin. 

Keshtu gjimnaziste te “Sami Frasherit”, Petro Ninit”, Ismail Qemalit” etj, studente te Gazetarisë pranë Fakultetit Histori- Filologji,bashkë me studentë të Ekonomikut dhe Korpusit kane bojkotuar mësimin. Vendimi është marrë nga këshillat studentorë. Gjatë mbrëmjes në postimet e tyre në Facebook, nismës për bojkotimin e mësimit i janë bashkuar edhe studentët e Mjekësisë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta përpara fillimit të seancës së sotme plenare iu bashkua dhe mbështeti protestuesit të cilët kishin dalë kundër asgjësimit të armëve kimike të Sirisë në vendit tonë. 
Meta siguroi protestuesit se nuk është marrë asnjë vendim dhe për çdo gjë do të dëgjohet zëri i qytetarëve Shqiptarë. 

“ Dua t’ju siguroj se ky është vendim juaj dhe kjo është qeveria juaj. Asnjë vendim nuk është marrë dhe nuk do të merret pa dëgjuar zërin tuaj dhe të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Prandaj duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së Sazan Gurit dhe të gjithë përfaqësuesve të nderuar të shoqërisë civile. Unë erdha këtu duke e ndjerë shqetësimin tuaj, por duke ndjerë edhe spekulimet e mëdha që janë bërë me këtë çështje. Të jeni të sigurt se çdo vendim do të ketë në themel të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë të rinjve dhe të rejave që janë këtu dhe kudo në të gjithë vendin. Prandaj kini besim sepse ky është parlamenti juaj. Kjo është qeveria juaj. Të jeni të qetë dhe të sigurt se çdo vendim do të ketë në themel zërin tuaj, të ardhmen tuaj që nuk do të cenojë . Unë, Ju premtoj që bashkë me përfaqësuesit më të shquar të shoqërisë civile, bashkë me të gjithë ata që kujdesen për të ardhmen e vendit ne do të jemi në krahun tuaj dhe në të ardhmen së vendit dhe absolutisht ju duhet të jeni të sigurt, që ky Parlament dhe kjo qeveri nuk mund të vihet kundër vullnetit tuaj.” , – deklaroi Meta.