10 nëntor 2013- Disa qytetarë të Elbasanit kanë zhvilluar mesditën e sotme në Uzinën e Mjekësit një protestë paqësorë, kundër mundësisë që në këtë vend të shkatërrohen armët kimike të ardhura nga Siria.
Ndërkohë që një ditë më parë ambientalistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile organizuan një takim në Tiranë, për të shpjeguar pse Shqipëria duhet të refuzojë propozimin për shkatërrimin e armëve siriane në territorin e saj. Ndërsa qeveria deklaron se publikisht ende nuk ka marrë një vendim për eliminimin e armëve kimike që do të vijnë nga Siria, në terren duket se kanë nisur përgatitjet e para.
Nëse Shqipëria do të pranojë të marrë pjesë në shkatërrimin e armëve kimike nga Siria, kjo nuk është eksperienca e parë për Uzinën e Mjekësit. Ministria e Mbrojtjes e ka përdorur këtë uzinë, të vendosur në zonën e Elbasanit, edhe për demontimin e predhave 160 mm. Gjatë këtij procesi u demontuan 10 tonë municion në ditë.





