Disa protestues janë mbledhur para Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), në mbështetje të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerin.
Beleri akuzohet për blerjen e votave gjatë zgjedhjeve lokale të 14 majit, për bashkinë e Himarës.
Sot mbahet seanca në të cilët kryebashkiaku i votuar kërkon të betohet për marrjen e mandatit, një kërkesë që gjykata e larta ia kaloi për kompetencë gjykatës së posaçme.
Protestuesit kërkojnë që Beleri të lirohet nga burgu dhe të kryejë betimin si kryebashkiak i Himarës.
Në gjyqin e fundit, me mbikëqyrjen edhe të ambasadores greke Konstantina Kamitsi, Fredi Beleri, refuzoi të pyetet nga prokurorët e posaçëm të SPAK, pasi sipas tij SPAK ka depozituar akte të njëanshme, një version që është kundërshtuar më herët nga gjykata e posaçme.
Gjatë këtyre seancave të monitoruara nga pala diplomatike e Greqisë, ai këmbëngul se arrestimi i tij është politik dhe se po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë. SPAK e ka kundërshtuar këtë qëndrim, për këtë arsye vazhdon të refuzojë dhe kundërshtojë betimin e Fredi Belerit për të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës.
Beleri akuzohet për korrupsion zgjedhor, pasi pagoi një qytetar i cili dëshmoi se mori para dhe ia dha qytetarëve në këmbim të votave. Arrestimi i tij është bërë dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Kjo ngjarje solli reagime edhe nga pala greke, e cila ka bërë shpesh thirrje për lirimin e Belerit.
Athina ka ashpërsuar qëndrimin e saj në lidhje me kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në lidhje me çështjen Beleri.