Tiranë, 12 prill 2014 – Një grup të rinjsh në kryeqytet, kryesisht anëtarë të “Tifozëve Kuq e Zi” dhe aktivistë të "Aleancës Kuq e Zi", kanë zhvilluar një protestë në sheshin përpara Piramidës, për torturimin dhe vdekjen e Ilia Karelit në burgun grek.
Me flamuj në duar, e duke kënduar himnin kombëtar, të rinjtë kanë hedhur parulla kundër Greqisë dhe kanë grisur e më pas djegur flamurin helen.
Pak minuta më vonë, aktivistët e AK-së dhe Tifozët Kuq e Zi e zhvendosën protestën përpara Ambasadës Greke në Tiranë, ku brohoritën në kor fjalë fyese ndaj Greqisë. Në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilat kanë shpërndarë protestën duke përdorur shkopinjtë e gomës. Disa prej protestuesve janë shoqëruar në polici, ndërsa forca të shumta policore kanë rrethuar rrugën tek Blloku i Ambasadave.
Protestuesit kanë kërkuar hetim të plotë lidhur me vdekjen në qeli të shqiptarit Kareli dhe dënimin e merituar për autorët që morën pjesë në dhunën që i shkaktoi edhe vdekjen. Sipas tyre, qeveria dhe shteti duhet të reagojnë në mbrojtje të të drejtës së shtetasve shqiptarë
Ilia Kareli, u gjet i vdekur mbrëmjen e 27 marsit, në qelinë e tij në burgun e Nigritas, ku ishte transferuar pas vrasjes së gardianit grek Jorgos Cironis, në burgun e Malandrinos. Kareli ishte transferuar në këtë burg për arsye sigurie, pas vrasjes së gardianit grek.
POLICIA: TUBIMI ISHTE PA LEJE
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ka reaguar në lidhje me protestën e zhvilluar ditën e shtunë për Ilia Karelin. Sipas njoftimit të policisë protesta ishte e paligjshme, pasi nuk ishte marrë leje për zhvillimin e saj, ndërsa u bë dhe bllokimi i rrugëve "Rruga e Kavajës" me "21 Dhjetorin" dhe po ashtu rruga që lidh "21 Dhjetorin" me "Sheshin Skënderbej". Policia gjithashtu njofton se pati dhe mosbindje nga ana e tubuesve.
“Nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, u morën masa për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të një tubimi, për të cilin nuk ishte marre leje pranë Policisë. Pas grumbullimit te “Piramida”, vazhdoi lëvizja e tubuesve përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Rruga e Kavajës drejt Ambasadës Greke. Për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të protestës u bë vendosja e kordonëve me punonjës policie të Komisariateve 1, 2, 3 dhe 4. Në vijim nga ana e tubuesve u bë bllokimi i rrugës që lidh Rrugën e Kavajës me 21 Dhjetorin dhe po ashtu rruga që lidh 21 Dhjetorin me Sheshin Skënderbej, si dhe pati kundërshtime dhe mosbindje nga ana e tubuesve, megjithë thirrjet e herëpashershme të bëra nga ana e policisë. Si rezultat u bë hapja e rrugës në të dy krahët. Policia shoqëroi 14 persona. Nga Policia e Tiranës po hetohet tërësia e veprimeve gjatë këtij tubimi. Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, gjithashtu do të analizohen në mënyrë të hollësishme të gjitha veprimet e punonjësve të policisë për menaximin e këtij tubimi dhe në rast se do të konstatohen shkelje të procedurave standarde ndaj përgjegjësve do të fillojë ecuria disiplinore. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, njeh dhe respekton të drejtën e qytetarëve për zhvillimin e tubimeve paqësore, njëherazi i fton qytetarët të respektojnë kërkesat ligjore”,- thuhet në njoftimin e policisë
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





