1nëntor 2015 – Një javë pasi pronari i TvKlan futi fadromat për të prishur terrenet sportive në fshatin turistik “Laguna Blu”, banorët e zonës dhe pronarët e shtëpive aty kanë protestuar.
Ata kanë prishur rrethimin me llamarina që i është bërë zonës, ku Aleksandër Frangaj parashikon ndërtimin e vilës, pasi shkatërroi fushat e futbollit, tenisit e volejbollit.
Sipas banorëve, njëkohësisht pronarë të shtëpive apo vilave në këtë kompleks, gjithçka po kryhet në mënyrë të paligjshme. “Prishja e terreneve sportive është e paligjshme, ashtu si dhe leja e ndërtimit që i është dhënë Frangajt. Ne kemi paguar për të shtëpitë që kemi këtu dhe nuk do të lejojmë realizimin e këtij abuzimi”. Ata i bëjnë thirrje kryeministrit Rama të rishikojë lejen e dhënë në kundërshtim me ligjin, ndërsa akuzojnë për korrupsion të hapur.
Pasi kanë dëmtuar rrethimin e ngritur nga punëtorët ditët e shkuara, reagimi ka vazhduar. Protestuesit kanë përdorur dhjetëra bigurina me vezë, duke qëlluar në drejtim të vilës që ka aktualisht Frangaj. Vetë pronari i Klan nuk është dukur sot në këtë zonë e po ashtu nuk ka pasur të pranishëm as punëtorë.
/K.H. portali DurresLajm/





