Banorët e përmbytur tre ditë më parë të Katund Sukthit janë hedhur në protestë ndaj mungesës së vëmendjes dhe ndërhyrjes nga pushteti lokal. Banorët që gjenden në pikë të hallit, pasi u janë dëmtuar tërësisht banesat dhe pasuria nuk kanë as ujë të pijshëm. Banorët u bëjnë apel pushtetit lokal dhe kreut të qeverisë të dërgojë ndihma konkrete në shtëpitë e tyre.

“Na kanë sjellë 2 batanije dhe 3 pako makarona, jemi 6 veta në shtëpi. Kush t’i marrë batanijet e të mbulohet më parë? Po makaronat me se t’i ziejmë, ne nuk kemi ujë të pijshëm! Nuk kemi as bukë, asgjë! Të na sjellin një pikë ujë për të pirë, se u thamë! Si nuk vdiqëm, por shpëtuam”, thotë një banore.

Edhe një banor tjetër thotë se përmbytja ishte e qëllimshme. “Po pse nuk na lajmëruan që të shpëtonim ndonjë gjë. Kur uji hyri brenda, ne morëm arratinë në 12 të natës. Jemi në pikë të hallit, sepse nuk ka mbetur asnjë gjë! Të vërë Edi Rama dorën në zemër, ose do të përballet me zemërimin e popullit. Ne duam vetëm të na i bëjnë shtëpitë ashtu siç i patëm. Asgjë më shumë!”

“Nuk kemi ujë, gjithçka është prishur, ne na kanë përmbytur me qëllim. Në 60 vjet nuk ka ndodhur kurrë kjo përmbytje, e nuk na lajmëroi askush. Të vijnë të na vlerësojnë dëmet reale, sepse nuk ka mbetur asnjë gjë”, janë kërkesat e banorëve, që akuzojnë kreun e bashkisë së Durrësit, dhe kryeministrin Edi Rama për mungesë të theksuar të vëmendjes në zgjidhjen e problemeve. “Ku është shteti, ku është?”, shprehen të zemëruar banorët.

K.H.