Banorët e Unazës së Durrësit kanë protestuar duke kërkuar vendosjen e një mbikalimi që i ndihmon ata për të kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Bëhet fjalë për unazën Plepa-Shkozet, e cila në fillim u projektua me kryqëzim dhe semafor, por tre vite më parë rruga u mbyll me barriera prej betoni.

Në këtë situatë banorët janë të detyruar ta kalojnë këtë pjesë në mënyrë të paligjshme duke rrezikuar jetën e tyre. Banorët kërkojnë ndërtimin e një mbikalimi për këmbësorët, ndërsa shtojnë se për shkak të mungesës së tij kanë ndodhur aksidente të shumta, madje edhe me pasoja për jetën.

Përgjatë unazës Plepa-Shkozet janë ndërtuar vetëm dy mbikalime për këmbësorët, ndërkohë që kjo është një zonë mjaft e populluar nga të dyja anët e rrugës në fjalë.