Të mbetura papunë e në kërkim të pagës së luftës, punonjëset e një pike shumice të tregtimit të peshkut në lagjen nr.1, kanë dalë sot për të protestuar në Durrës, pasi dolën nga zyrat e Inspektoratit të Punës.
Janë rreth 20 punonjëse që shprehen përpara kamerave, që pagën e luftës nuk e kanë marrë, punë nuk kanë filluar dhe kanë mbetur pa asnjë të ardhur, ndërsa ndodhen në vështirësi të mëdha ekonomike në familjet e tyre.
“Kam filluar punë që në nëntor 2019 deri më 11 mars, por kam qenë e pasiguruar. Kisha një muaj që kërkoja të sigurohesha; por as nuk u sigurova, as pagën e luftës nuk e përfitova dhe as punë nuk kam filluar. Kam që në mars pa punë”, thotë njëra prej punëtoreve.
“Të drejtat tona askush nuk na i sqaron, as tek Tatim-Taksat, as tek Inspektorati i Punës. Ne jemi punëtorë, duam të hamë. Nuk i duam lekët nga xhepi i pronarit, por lekët që na ka premtuar kryeministri Rama”, shprehet një tjetër.
Në kërkim të një zgjidhjeje në këtë situatë të vështirë ekonomike që po lë pas pandemia e koronavirusit, këto punëtore as nuk kanë marrë sqarimin e duhur se si të veprojnë për të përfituar edhe ato ndihmë ekonomike.





