SHKUP – Partitë opozitare maqedonase kanë filluar në orët e pasdites një protestë në Shkup, pas ngjarjeve të fundit kur deputetë të këtyre partive u dëbuan me forcë gjatë miratimit të buxhetit. Kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski tha se protestat janë në kuadër të masave të paralajmëruara për padëgjueshmëri qytetare.
“Prej sot fillojmë formën e re të veprimit, në pajtim me rastet dhe karakterin e këtij regjimi. Do të organizojmë dhe do të mbështesim çdo lloj pa dëgjueshmërie dhe rezistence qytetare, do të organizojmë dhe do të mbështesim çdo lloj mitingu, proteste dhe bllokade të udhëkryqeve dhe objekteve”,- ka deklaruar Cërvenkovski, i cili ka shtuar se, që nga dje Maqedonia nuk është shtet demokratik, por është shtet policor, transmeton REL.
Ai tha se partia e tij do të ngrërë padi penale ndaj kryeparlamentarit Trajko Veljanovski për shkelje të Kushtetutës dhe rregullores për punë të parlamentit. Nga ana tjetër, në një paraqitje, kryeministri Nikolla Gruevski e ka akuzuar liderin e opozitës për nisjen e dhunës dhe të kaosit në shtet, ndërsa e ka krahasuar me ish-liderin e përmbysur të Libisë.
“Ai po vepron në stilin e Gadafit, jeton në një botë të tij, me një dozë serioze të altruizmit, ku beson se i gjithë populli është me të, se të gjithë e përkrahin dhe se duhet me forcë të marrë pushtetin. Nga ajo që dëgjova, Cërvenkovski nuk doli me kërkesa, por vetëm shprehu dëshirën të vijë në pushtet me dhunë, me bllokada, kërcënime, me tubime, me nxitje dhe tensionim të situatës”, ka deklaruar Gruevski.
Lidhur me situatën e tensionuar përmes një komunikate është prononcuar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e qeverisë, duke ftuar opozitën maqedonase, që të ulë tensionet me qëllim që, siç thuhet, krijimin e një ambienti të përshtatshëm për vazhdimin e reformave dhe plotësimin e rekomandimeve të përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së.
“Rrezikimi i funksionimit të institucioneve të sistemit është në kundërshtim me rekomandimet e Këshillit të Ministrave të BE-së, që tremujorshi i parë i vitit 2013 t’i përkushtohet ekskluzivisht dinamizimit të reformave dhe zgjidhjes së kontesteve, si parakushte për hapjen e negociatave për anëtarësim në NATO dhe BE”,- thuhet në reagimin e BDI-së.