Maqedonia e Veriut nuk ndalet në reagimet e ashpra kundër shtetit Helen. Pas deklaratës së Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis për respektim të Marrëveshjes së Prespës dhe bllokim të integrimit europian, kryeministri i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mitcovski i ka bërë të ditur homologut të tij grek që të mos përzihet në punët e brendshme të Shkupit.

Sipas tij, është e drejta jonë themelore që të quajnë vendin Maqedoni.

“Ne presim të kemi marrëdhënie të mira dhe të shkëlqyera fqinjësore. Vlerësoj që VMRO-ja dhe qeveria greke e udhëhequr nga Demokracia e Re kanë qëndrimin e tyre për Marrëveshjen e Prespës.

Askush prej nesh nuk e pëlqen këtë marrëveshje”, ka komentuar Mickoski, duke e quajtur “të drejtën e tij themelore” që ta quajë vendin e tij si të dojë në diskursin publik dhe në media.

Ndër të tjera, ai i bëri thirrje Greqisë që të ndalojë sulmet – siç i cilësoi ai – kundër vendit të tij dhe nëse ka ndonjë problem, të shkojë në gjykatën e Hagës.

Greqia ka ngritur alarmin se liderët e rinj të Maqedonisë së Veriut po shkelin marrëveshjen e Prespës duke mos përmendur emrin Maqedonia e Veriut por thjesht Maqedoni.

Sakaq pas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis është ministri i Jashtëm grek, Georgos Gerapetritis i cili në krah të homologut të tij çek paralajmëroi Shkupin se nuk do të bëjë asnjë lëshim dhe do të monitorojë rreptësisht situatën e Maqedonisë së Veriut.