Në një prononcim pak orë pas betimit në presidencë dhe marrjes zyrtarisht të detyrës si ministre e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu ka treguar përmes një prononcimi për “DurrësLajm” prioritetet e punës së saj.

Ndërsa e konsideroi një sfidë shumë të vështirë, sepse shëndetësia është një nga sektorët më të vështirë për të ofruar zgjidhje, sidomos zgjidhje afatshkurtra, Spahiiu deklaroi se fakti që është aktive në këtë sektor prej 30 vitesh dhe me një eksperiencë 13-vjeçare në çështjet sociale e ndihmon në përcaktimin e prioriteteve të punës së saj në krye të këtij dikasteri.

“Kam marrë shumë urime dhe ato të vënë në pozitë pune, në vështirësi, sepse me thënë të drejtën çdo urim që merr në këtë sektor është një përgjegjësi më tepër. Unë e di shumë mirë që kjo do të jetë një sfidë shumë e vështirë për mua, ndëoshta është një nga sektorët, që është shumë i vështirë për t’u përballur dhe për t’i dhënë zgjidhje çdokujt. Kam parë që njerëzit presin ndryshim, presin zgjidhje dhe unë jam e bindur që jo çdo zgjidhje do të vijë ditën e dytë. Për këtë jam shumë e ndërgjegjshme”,- tha ajo.

Spahiu synon t’u japë zgjidhje shumë sorrollatjeve siç i quan ajo, siç janë vajtje-ardhjet e pansionistëve tek mjeku i familjes për të marrë kodin e recetës tek mjeku, ndërkohë që mund të drejtohet drejtpërdrejt në farmaci.

Të tjera prioritete të punës së saj do të jetë selektimi i personave që bëjnë check up-in, nisur edhe nga gjendja e tyre shwndetwsore, si dhe  hapja e një zyre që do të qëndrojë hapur në ministri në fashën orare 08:00-20.00 për të adresuar dhe dëgjuar një problematikë, që nuk është zgjidhur diku tjetër.

“Sot në takimin e parë dhe të shkurtër me punonjësit e Ministrisë së Shëndetësisë u kam shprehur shumë qartë atyre cili është vizioni im. Nuk është një vizion, që kërkon shumë mend për t’u realizuar, kërkon vetëm vullnet, dëshirë dhe zemër të mirë për t’i bërë gjërat”,- tha Spahiu.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Spahiu u ndal edhe tek problematikat e spitalit të Durrësit dhe ndërhyrjet që pritet të realizohen së shpejti në Urgjencë dhe Maternitetin e qytetit.

“Unë jam marrë shumë me spitalin e Durrësit këto ditë, sepse e di shumë mirë se çfarë mungon aty, çfarë duhet bërë. Unë e di shumë mirë që çdo veprim përkthehet në buxhet, por ka dhe gjëra që nuk kërkojnë buxhet, ka dhe gjëra që kërkojnë të punosh pak më shumë dhe të sakrifikosh pak më shumë. Janë proceset e tenderimit dhe do të fillojë shumë shpejt rikonstruksioni i Urgjencës. Në programet tona, në pritshmëritë tona dua që në buxhetin e 2027 të bëjmë të mundur rikonstruksionin e Obstetrik-Gjinekologjikut. Ju garantoj që do të jem aty non stop për qytetarët durrsakë. E di që Urgjenca sot është shumë keq, sepse është hapësira shumë e vogël, por ju garantoj që nuk do të mungojë shërbimi dhe në kohën që do të rikonstruktohet ne e kemi menduar planin se ku do të shkojnë pacientët”,- deklaroi Spahiu.

Intervistën e plotë e ndiqni në videon në vazhdim.

M.B.