Këtë të premte, Gjykata e Durrësit po ofron shërbime të kufizuara për shkak të bllokimit të pagave për gjykatat e prokuroritë në shkallë vendi.
Burime nga gjykata bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se “në vijim të situatës së krijuar, për shkak të mospagimit të pagave edhe të administratës gjyqësore: Seksioni Civil do të vijojë me kufizim të shërbimeve, ndërsa sporteli i shërbimeve do të kryejë veprimet me publikun në orarin 11:00–12:30.
Ky kufizim nuk do të prekë zhvillimin e seancave gjyqësore, të cilat do të vijojnë sipas planifikimit”.


Ndërkohë një ditë më parë, përplasja mes qeverisë dhe magjistratëve lidhur me bllokimin e pagave për gjykatat e prokuroritë përfundoi në SPAK. 18 drejtues të gjykatave të vendit dhe 2 krerë të shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve dorëzuan një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme për ministrin e financave, Petrit Malaj dhe një sërë zyrtarësh të tjerë të thesarit me akuzat “Shpërdorimi i detyrës”, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.
Sipas gjyqtarëve me veprimet dhe mosveprimet e tij ministri Malaj e ka shprehur qartë vullnetin e tij për të mos e zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat, madje duke udhëzuar të kundërtën. Kallëzuesit sjellin në vëmendje letrën që Malaj i çoi KLGJ-së dhe KLP-së ku i thoshte se s’mund të kalonte pagat për shkak se ato i vendos Kuvendi. Për ministrin kërkohet hetim për shpërdorim detyre.
M.B.





