Kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale nisjen e një investimi të rëndësishëm për modernizimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në qytet.

Projekti, i financuar nga AFD në bashkëpunim me WBIF, parashikon rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit, modernizimin e kanalizimeve dhe impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Në ceremoninë e nisjes së investimit ishte i pranishëm edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtuesin e AFD-së dhe ambasadoren e Francës në Shqipëri.

Postimi i plotë:

Durrësi po bën një tjetër hap të rëndësishëm drejt një infrastrukture moderne dhe të qëndrueshme. ♻️

Transformimi i rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve 💧 në Durrës, falë financimit të Agjencisë Franceze për Zhvillim (AFD), në bashkëpunim me WBIF. 🇫🇷🤝🇦🇱

Projekti për rehabilitimin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit të Durrësit, si dhe modernizimin e rrjetit të kanalizimeve dhe impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura, përbën një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për qytetin tonë.

Ky investim lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Durrësit.

Së bashku me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, Drejtorin e Përgjithshëm të AFD-së, Christophe Le Courtier, dhe Ambasadoren e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, morëm pjesë në ceremoninë e nisjes së këtij investimi madhor për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve në qytet.

Bashkia e Durrësit është e gatshme të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet dhe partnerët tanë, për ta bërë këtë proces sa më efikas dhe për të garantuar rezultate konkrete për qytetarët e Durrësit.