Kryeministri Edi Rama ka komentuar situatën në Bashkinë e Tiranës, e krijuar pas arrestimit të Erion Veliajt dhe mungesës së tij në drejtimin e institucionit. Rama quajti situatën “prerje të kokës së kryeqytetit” dhe tha se drejtimi i Tiranës pa kryebashkiakun ka prodhuar pasoja sociale, ligjore, politike dhe ekonomike.

Sipas Ramës, një nga pasojat konkrete të kësaj situate është vonesa në procesin e rindërtimit në Tiranë. 

“Që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsyet që dihen dhe për mosarsyet që nuk dihen, unë mendoj se viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj kohëprerjeje të padëgjuar në historinë e BE dhe vendeve të Europës që hyjnë në Këshillin e Europës. Ka dy raste Strasburgu, dhe rasti i Shqipërisë që është shumë më i rëndë sesa ato. Heqja e kokës së kryeqytetit dhe eksperimenti social, legal, politik, ekonomik i drejtimit të kryeqytetit pa kokë ka sjellë shumë viktima, e kanë paguar me dëme kolosale. Kategoria sociale në Tiranë më e prekur janë ato familje që presin t’u jepet çelësi sepse janë viktima të tërmetit. Eksperiment social i rëndë dhe totalisht i dështuar”, tha Rama.