Mbahet këtë të enjte eventi për prezantimin e Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë, Rilindja 2.0, ku i pranishëm është edhe kryeministri i vendit, Edi Rama.
Fillimisht, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se përfituese të programit janë 26 bashki.
“Kemi më pak banorë, por më shumë familje. Madhësia e familjes shqiptare ka ndryshuar, sot është me 3.2 banorë dhe peshën më të madhe e zënë familjet me dy anëtarë, jo me katër siç ishte në të kaluarën. Tirana ka 32% të popullsisë së vendit, por edhe zona të tjera kanë patur rritje të fluksit”, u shpreh ajo.
Ministrja theksoi se duhet kaluar në një sistem kombëtar të integruar të strehimit.
“Ka ardhur momenti që paratë të investohen në strehim, që të kujdesemi për të gjitha kategoritë që janë në kërkim të një banese, sepse kultura jonë është e lidhur rrënjësisht me pronën dhe banesën. Kemi përgatitur një paketë ligjore dhe shumë shpejtë do të dalim me instrumentat që do të lançohen”, paralajmëroi Ibrahimaj.
Ndërkohë, për ministrin e Pushtetit Vendor, Ervin Demo, kjo reformë është jashtëzakonisht e rëndësishme në përgjigje të nevojave në territor.
“Janë rreth 700 familje që do të përfitojnë dhe bashkitë kanë rol proaktiv nga pikëpamja e financimit. Në 2027-ën programi do të jetë akoma më i madh”, bëri me dije ai.





