Pas sekuestrimit të 107.7 kg kanabis “Gelato” në Portin e Durrësit, ka reaguar edhe Dega Doganore Durrës, duke dhënë detaje mbi kontrollin e kontejnerit të ardhur nga Kanadaja.
Sipas Doganës, në kontejner ndodheshin dy automjete dhe një kamper, ku gjatë kontrollit u evidentuan shenja të dyshimta në pjesën fundore të këtij të fundit.
Kontrolli i imtësishëm zbuloi 190 pako me lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 107.7 kg, të fshehura në hapësira të modifikuara pas veshjeve prej druri.
Gjatë kontrollit u sekuestruan gjithashtu 43 cigare elektronike, disa prej të cilave mbanin mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.
Dega Doganore Durrës thekson se kontrollet dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit dhe strukturat e Kufirit dhe Migracionit do të vijojnë për parandalimin dhe goditjen e trafikut të paligjshëm në pikat e kalimit kufitar.
Reagimi i plotë:
Dega Doganore Durrës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat e Kufirit dhe Migracionit, kanë parandaluar një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Gjatë kontrollit të një kontejneri të ardhur nga Kanadaja, në të cilin ndodheshin dy automjete dhe një kamper, strukturat doganore evidentuan shenja të dyshimta në pjesën fundore të mjetit. Pas kontrollit të imtësishëm, në hapësira të modifikuara dhe të fshehura pas veshjeve prej druri u zbuluan 190 pako me lëndë të dyshuar narkotike, me peshë totale 107.7 kg, të llojit cannabis sativa “Gelato”.
Në vijim të kontrollit u sekuestruan edhe 43 cigare elektronike, disa prej të cilave me mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.
Doganat vijojnë kontrollet dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për goditjen e trafikut të paligjshëm në pikat e kalimit kufitar.





