Familja Toca në Durrës, me tre fëmijë të mitur, ka mbetur pa një banesë, ndërsa kryetari i PD Durrës, Adrian Gashi, ngre shqetësimin për situatën e saj.
Sipas Gashit, banesa e familjes është prishur për t’i hapur rrugë ndërtimit të rrugëve “Azem Hajdari” dhe “Vala e Detit”, ndërsa familjes i ishte premtuar strehim dhe bonus qiraje.
Në postimin e tij, Gashi pretendon se bonusi i qirasë është ndërprerë dhe familja, për shkak të pamundësisë për të përballuar qiranë, ka ndërtuar një barakë për të strehuar fëmijët. Sipas tij, edhe kjo barakë është shembur nga Bashkia Durrës.
Postimi i plotë:
Tre fëmijë të mitur dhe pa një çati mbi kokë. Ky është realiteti i një familjes Toca sot.
Prej vitesh kjo familje pret që Bashkia Durrës të mbajë një premtim. Banesa e tyre u prish për t’i hapur rrugë ndërtimit të rrugëve “Azem Hajdari” dhe “Vala e Detit”, ndërsa atyre iu premtua strehim dhe bonus qiraje.
Sot, me tre fëmijë të mitur, kanë mbetur pa një çati mbi kokë. Bonusi i qirasë është ndërprerë, borxhet janë shtuar dhe, pasi nuk mundën më të paguanin qiranë, ngritën një barakë për të strehuar fëmijët. Edhe atë Bashkia ua shembi.
Familja Toca kërkon atë që i është premtuar dhe që i takon. Bashkia Durrës duhet t’i japë zgjidhje menjëherë.





