Mëngjesin e sotëm, në portin e Durrësit kanë mbërritur dy superjahtet në pronësi të sheikut Mansour bin Zayed Al Nahyan, anëtar i familjes mbretërore të Abu Dhabit dhe bosit të ekipit të Manchester City.
Jahti luksoz M/Y A+, që më parë mbante emrin Topaz është ankoruar në portin më të madh në vend së bashku me mjetin tjetër lundrues luksoz M2.
Kjo nuk është herë e parë që super jahti M/Y A+ ndalet në qytetin bregdetar për t’u furnizuar me naftë, sepse thuajse çdo vit ai ankorohet në kalatat portuale.
Këtë mëngjes M/Y A+dhe M2 janë ankoruar respektivisht në kalatat nr.4 dhe 5 të portit.
Superjahti M/Y A+ kushton rreth 450 milionë dollarë. Së bashku me superjahtin tjetër ai do të furnizohet gjatë ditës së sotme me 700 mijë litra karburant.
Nga ky furnizim buxheti i shtetit arkëton 280000 euro nga taksa direkte e luksit prej 0.4€/litër.
Furnizimi me naftë(tax luksi) në portet e Republikës së Shqipërisë i solli buxhetit të shtetit vitin e kaluar mbi 12 milion euro të ardhura.
M.B.





