Bashkia Durrës ka dhënë sqarime lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave të punonjësve të pastrimit në NSHK, pas pretendimeve të bëra nga disa prej tyre.
Sipas Bashkisë, paga bruto përbëhet nga paga bazë, vjetërsia në punë dhe shtesat për kushtet e punës. Në pagë përfshihen gjithashtu përfitimet për punën gjatë natës, në ditët e pushimit dhe festat zyrtare.
Për këtë arsye, vlera e pagës mund të ndryshojë nga një muaj në tjetrin, në varësi të orëve të punuara dhe turneve të kryera.
Sqarimi i plotë:
Në vijim të pretendimeve të bëra publike nga disa punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale për mënyrën e përllogaritjes së pagave të tyre, Bashkia Durrës dëshiron të bëjë një sqarim të qartë për opinionin publik:
Përllogaritja e pagave të punonjësve të pastrimit të NSHK kryhet në bazë akteve ligjore në fuqi dhe pagat e tyre janë të miratuara me Vendim të Këshillit Bashkiak nr.17, datë 02.04.2026 “ Për miratimin e nivelit të pagave për punonjësit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi të Bashkisë Durrës.”.
Paga bruto e një punonjësi pastrimi përbëhet nga këta elementë: paga bazë, vjetërsia në punë dhe shtesa për kushte pune. Gjithashtu theksojmë se këta punonjës përfitojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Punës në lidhje me punën që realizohet gjatë orëve të natës, ditëve të pushimit dhe gjatë ditëve të festave zyrtare. Duke u nisur nga të gjithë këta elementë theksojmë se paga e këtyre punonjësve nuk është e njëjtë përgjatë 12 muajve të vitit.
Pra, ndryshimet mujore në pagë lidhen numrin e orëve të punës në turne nate, në ditë pushimi javore, në ditë festash zyrtare si dhe me organizimin e punës me turne.
Për këtë arsye punonjësit me të njëjtën pagë bazë dhe të njëjtën vjetërsi mund të kenë përfitime mujore të ndryshme, nëse kanë kryer numër të ndryshëm orësh në këto periudha.
Bashkia e Durrësit ka sqaruar për sa më sipër të gjithë punonjësit që janë ankuar në lidhje me këtë pretendim.





