Policia Bashkiake Durrës e deklaron të mbyllur aksionin e ndërmarrë prej më shumë se një jave për lrimin e hapësirave publike në mënyrë vullnetare.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Policia Bashkiake bën të ditur se në bashkëpunim me Ndërmarrjen Komunale Plazh dhe Agjencinë e Parqeve Urbane kanë ndërhyrë për të larguar mjetet rrethanore të përdorura për të zënë vende parkimi në kuartallat e zonës së plazhit.
Përgjatë këtyre ditëve, aksioni i kësaj strukture policore është shtrirë në të gjitha lagjet e qytetit bregdetar, ndërkohë që u është bërë apel të gjithë qytetarëve që zënë hapësirat publike me kupola betoni, struktura metalike, bidona, zinxhirë, goma, karrige etj t’i largojnë ato në mënyrë vullnetare për të evituar gjobat dhe procedimet penale.
“Apeli ynë është që qytetarët dhe subjektet t’i largojnë vullnetarisht këto pengesa. Duke hequr vullnetarisht pengesat, shmangim masat administrative apo procedimet penale,por mbi të gjitha tregojmë qytetari për komunitetin dhe hapësirën që na përket të gjithëve”,- shkruan Policia Bashkiake.
Po ndërsa sot përfundoi faza e parë e këtij aksioni që konsistonte në heqjen vullnetare të tyre, tashmë pritet të nisë ajo që e deklaroi pak ditë më parë drejtori i kësaj policie, Flamur Gjuzi, monitorimi i hapësirave publike në të gjithë qytetin.
Për të përmbushur me sukses këtë aksion, Policia Bashkiake fton qytetarët, që të denoncojnë të gjitha zëniet abuzive të hapësirave.
“Hapësira publike është e përbashkët. Ftojme qytetaret te bashkepunojne dhe denoncojne raste te zenieve te hapesires publike.Policia Bashkiake do jete menjehere aty per lirimin e saj dhe ndeshkimin me masa administrative te kundravajtesve”,- shkruan Policia Bashkiake.





