Për rreth një orë ata harruan ndasitë politike, debatet e ashpra dhe qëndrimet e kundërta.
Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor PS dhe PD, ose më saktë deputetët dhe këshilltarët bashkiakë të Durrësit, të këtyre dy formacioneve politike u bënë bashkë për një kauzë sociale, në ndihmë të nxënësve që ndjekin studimet pranë shkollës 9-vjeçare “E re”, në njësinë administrative nr.6
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e institucionit arsimor ata shpërndanë çanta dhe mjete shkollore për 60 fëmijë të shkollës 9-vjeçare dhe libra për 10 nxënësit më të mirë të gjimnazit të zonës.
Flutura Kasa, këshilltare bashkiake dhe njëherazi koordinatore e kësaj iniciative, bën të ditur për “DurrësLajm” se fëmijët që u ndihmuan me çanta dhe mjete didaktike i përkasin kryesisht familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe familjeve që kanë humbur kryefamiljarin.
Po sipas Kasës, këshilltarët bashkiakë kontribuuan për blerjen e çantave dhe mjeteve didaktike, ndërsa deputetët e qarkut u bënë bashkë për blerjen e librave dhe çantave që do t’u dhurohen 10 nxënësve më të mirë të gjimnazit.
Pavarësisht pranisë së deputetëve dhe këshilltarëve nga të dy formacionet politike, ceremonia u zhvillua në një atmosferë mjaft të ngrohtë e miqësore, si për të treguar se ekzistenca në kampe të kundërta politike, jo domosdoshmërisht përkthehet gjithnjë në gjuhë të ashpër e debate në tone të larta.





