Mes emocionesh dhe vargjesh të interpretuara me mjaft mjeshtëri nga 3 emra shumë të njohur të artit skenik në vendin tonë, erdhi për publikun durrsak recitali poetik “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, në qendër të të cilit ishin poezitë më të përzgjedhura të vëllimit poetik me të njëjtin titull të poetit Preç Zogaj.

Krijimtaria poetike e Zogajt është e shtrirë në 4 dekada dhe në këtë vëllim përmbledhës të poezive më domethënëse janë përfshirë rreth 500 lirika dedikuar tematikës së dashurisë, miqësisë, nënës, vdekjes etj. Përmes këtij botimi voluminoz ,autori udhëton ndër vite që nga fillimet e sprovave të tij poetike, në vitin 1984.

Për tre aktoret e njohura të skenës shqiptare Yllka Mujo, Luiza Xhuvani dhe Elia Zaharia, që janë përfshirë në këtë tur recital, që Durrësin e kishte stacionin e tretë, poezia e Zogajt transmeton përmes fjalës një kolorit emocionesh, përfytyrimesh e mendimesh.

Emocione të veçanta i fali mbrëmjes interpretimi i ndjerë i studentes Keris Babliku, që solli për publikun këngën e mirënjohur “Sytë e tu”, teksti i së cilës është shkruar pikërisht nga Preç Zogaj.

Recitali poetik ka udhëtuar deri më tani në Tiranë, Lezhë dhe Durrës, ndërsa ndalesa të radhës do të jenë qytetet e Korçës, Vlorës etj.

M.B.