Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla thotë se nuk komenton dosjet hetimore, duke përfshirë edhe rastin e fundit me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, ndërsa thotë se inkurajon SPAK që të hetojë në mënyrë të pavarur.

Në një komunikim me gazetarët, Balla tha se Partia Socialiste nuk bën avokatin e askujt, në rastet kur ka probleme me drejtësinë, duke theksuar se këtë qëndrim ka edhe kryeministri Rama.

“Grupi i PS nuk është avokat mbrojtës i askujt. Në rastin e personave me mandat parlamentar Kuvendi në respekt të kushtetutës e ka ushtruar këtë të drejtë, dhe meqë ma kujtuat, unë dua që të ri shpreh që Shqipëria sa i përket pjesës që lidhet me kufizimet e lirisë para vendimit të gjykatës duhet ti japë fund kësaj praktike”, tha Balla.

Por kur u pyet për rastin e Belinda Ballukut, ku PS mbrojti ish numrin dy me vota në Kuvend, Balla e konsideroi se “arrestim pa gjyq i personave me imunitet”.