Është duke u zhvilluar protesta e njoftuar për t’u mbajtur në zonën e Durrësit të Ri.

Qarkullimi i mjeteve është bllokuar pjesërisht përgjatë rrugës “Vllazërimi”, pasi dhjetëra banorë të kësaj zone, të mbështetur edhe nga përfaqësues të degës lokale të Partisë Demokratike, kanë bllokuar këtë aks rrugor në një nga kryqëzimet e kësaj zone.

Efektivët e policisë ndodhen në zonë për të devijuar qarkullimin e mjeteve dhe për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.

Banorët dhe protestuesit, pjesa më e madhe e të cilëve janë përmbytur tre herë përgjatë periudhës janar 2025–janar 2026, kërkojnë nga pushteti vendor dëmshpërblime për dëmet e shkaktuara dhe njëkohësisht kushte më të mira jetese në këtë zonë.

Ata rendisin ndër problematikat kryesore mungesën e kazanëve të mbeturinave, mospastrimin e kanaleve, ndotjen mjedisore etj.