Një 19-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen e rëndë të tre personave është kapur në fshatin Pjezë të Shijakut, në kuadër të operacionit të koduar “Village”.
L. C., banues në Shijak, dyshohet se më 26 korrik, në lagjen nr. 13 në Durrës, në bashkëpunim me një tjetër person, ka goditur me mjete prerëse tre shtetas gjatë një konflikti.
Për 19-vjeçarin dhe bashkëpunëtorin e tij gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
NJOFTIMI I PLOTË:
Shijak/Finalizohet operacioni i koduar “Village”.
Kapet në fshatin Pjezë, 1 shtetas i shpallur në kërkim, i akuzuar si bashkëpunëtor në plagosjen e rëndë të 3 shtetasve.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe me Njësinë Operacionale të DVP Durrës, ka organizuar operacionin e koduar “Village”, bazuar në informacionet e siguruara për vendodhjen e një shtetasi në kërkim, i cili fshihej në një fshat.
Si rezultat i operacionit, u kap në fshatin Pjezë, Shijak, dhe u ndalua shtetasi L. C., 19 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se mbrëmjen e datës 26.07.2026, në lagjen nr. 13, Durrës, në bashkëpunim me shtetasin M. H. (në kërkim), gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjete prerëse, 3 shtetas.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, më datë 04.08.2026, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit L. C. dhe M. H., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Vijon punë për kapjen e shtetasit M. H..
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.





