Shuhet në moshën 29-vjeçare regjisorja dhe skenaristja e re greke Maria Tsioli, si pasojë e një aksidenti tragjik në Athinë.

Tsioli ishte një nga viktimat e aksidentit rrugor të ndodhur në Bulevardin Alexandras, ndërsa lajmi për vdekjen e saj ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe kolegët me të cilët kishte bashkëpunuar ndër vite, shkruajnë mediat fqinje.

Pavarësisht moshës së re, Maria Tsioli kishte arritur të spikaste në kinematografinë greke, me punët e saj të prezantuara edhe në festivale të rëndësishme ndërkombëtare, duke lënë pas një karrierë premtuese në botën e kinematografisë.

Në vjeshtën e këtij viti, Tsioli kishte planifikuar të niste xhirimet e filmit të saj të ri, të titulluar “Perasma” (“Kalimi”). Filmi do të xhirohej në zonën e Agrafas, kryesisht në Megala Vraggiana, dhe historia do të përqendrohej te jeta e një bariu adoleshent në fshat.

Pas vdekjes së saj, familja dhe bashkëpunëtorët e regjisores kanë shprehur dëshirën që projekti të mos mbetet përgjysmë, por të realizohet sipas vizionit që kishte Maria për filmin.

Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Agrafas, Alexis Kardabikis, i cili tregoi se kishte komunikuar me Tsiolin dhe producentin Spyros Skandalos gjatë përgatitjeve për projektin.

Kardabikis tha se bashkia do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të ndihmuar në realizimin e filmit, ashtu siç e kishte konceptuar dhe ëndërruar vetë regjisorja.