Rastet e dhunës në familje vijojnë të jenë të pranishme në buletinet e përditshme të policisë në Maqedoninë e Veriut. Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti është shënuar një rritje e numrit të denoncimeve për këtë fenomen.
“Shtatë persona arrestohen për dhunë në familje brenda 24 orëve”, “U përpoq t’i vinte flakën shtëpisë – kërcënoi gruan dhe vajzën”, “1.70 promilë alkool në gjak – sulmoi gruan”, apo “E përplasi derën me veturë, theu dritaren dhe sulmoi bashkëshorten” janë vetëm disa nga rastet e raportuara.
Pas këtyre titujve dhe statistikave qëndrojnë familje, gra dhe fëmijë që në shumë raste kanë jetuar për një kohë të gjatë nën frikën e dhunës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 768 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, shifër kjo që përbën një rritje prej 67 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Elena Dimushevskës, drejtoreshë e Rrjetit Kombëtar për Parandalimin dhe Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, rritja e numrit të denoncimeve lidhet edhe me inkurajimin e grave për të raportuar rastet e dhunës.
“Dhuna në familje ka ekzistuar gjithmonë në vendin tonë, por me përmirësimin e ligjeve dhe zhvillimin e fushatave për edukimin dhe ndërgjegjësimin se dhuna nuk duhet të mbetet brenda shtëpisë dhe se shteti ka përgjegjësi për mbrojtjen e viktimës dhe fëmijëve, kjo po pranohet si një standard i ri në shoqërinë tonë. Për këtë arsye, numri i denoncimeve po rritet”, ka deklaruar Dimushevska.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar krijimin e ekipeve të specializuara, të pajisura me kamera trupore, për trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Sipas Dimushevskës, kjo masë mund të ketë ndikim pozitiv.
“Ajo që mund të jetë pozitive është se edhe vetë zyrtarët policorë do të fokusohen në një qasje profesionale, pasi shpesh marrim ankesa nga gratë që kanë telefonuar policinë dhe që, në rastet kur nuk ka pasur shenja të dukshme të dhunës fizike, zyrtarët kanë tentuar të luajnë rolin e ndërmjetësuesit dhe të qetësojnë situatën. Edhe pse kjo tani ndodh më rrallë, ende ka raste të tilla”, ka thënë Dimushevska.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga viti 2018 deri në vitin 2025, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 42 vrasje, 24 tentativa për vrasje dhe 192 raste të lëndimeve të rënda trupore në kuadër të dhunës në familje.
Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave të bëra publike nga ministri i Punëve të Brendshme, janë regjistruar katër vrasje, një tentativë për vrasje dhe shtatë raste të lëndimeve të rënda trupore të lidhura me dhunën në familje.





