Serbia reagoi ndaj vendimit të Hagës përmes zëvendëskryeministrit, Ivica Daçiç, i cili, menjëherë e përshkroi si konfirmim të pretendimeve të Serbisë për UÇK-në.
“Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit”, tha Daçiç, “dëshmoi se UÇK-ja ishte organizatë kriminale dhe terroriste dhe se udhëheqësit e saj të lartë politikë dhe ushtarakë ishin përgjegjës për krime gjatë luftës në Kosovë”.
Ky reagim erdhi pavarësisht faktit që Dhomat e Specializuara, i gjykuan katër të akuzuarit mbi bazën e përgjegjësisë së tyre penale individuale.
Ata u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u liruan nga akuzat për krime kundër njerëzimit.
Daçic kritikoi pikërisht rrëzimin e akuzave për krime kundër njerëzimit, duke e cilësuar atë si “manovër politike” dhe duke pretenduar se vendimi minimizon vuajtjet e viktimave serbe.
Sipas tij, as dënimet e dhëna nuk janë të mjaftueshme për familjet e viktimave.





