Ministri i Administratës Publike në Malin e Zi, Marash Dukaj, ka reaguar pas denoncimit të shqiptarëve të diasporës, të cilët pretenduan se u ndaluan në Mal të Zi teksa udhëtonin drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës kundër Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Një prej emigrantëve, në një prononcim për News24, tha se autokolona ishte ndaluar për rreth katër orë në pikën kufitare në Nikshiq dhe se nuk u ishte dhënë, sipas tij, një shpjegim për arsyen e ndalimit. Ai pretendoi gjithashtu se policia malazeze u kishte kërkuar disa prej udhëtarëve të hiqnin flamujt shqiptarë dhe simbolet kombëtare nga automjetet.

Pas këtyre pretendimeve, Dukaj u shpreh kundër trajtimit të flamurit shqiptar si problem apo kërcënim dhe kërkoi që ligji të zbatohet njësoj për të gjithë.

“Flamuri shqiptar nuk është kërcënim – ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Mali i Zi, si shtet demokratik dhe evropian, duhet të ketë të njëjtat standarde për të gjithë”, shkroi ministri në rrjetet sociale.

Ministri malazez me origjinë shqiptare tha se nuk duhet të ketë standarde të dyfishta ndaj flamurit shqiptar nga ana e policisë dhe theksoi se qytetarët që e mbajnë atë duhet të respektohen.

Nuk është mirë që të vazhdojnë standardet e dyfishta ndaj flamurit shqiptar nga ana e Policisë. Nuk ka pse të kenë frikë nga flamujt shqiptarë. Përkundrazi, duhet të respektohen qytetarët që e mbajnë atë.

Kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve edhe gjatë verës për shkak të flamurit shqiptar në dasma dhe festa, ndërsa mbrëmë ndërhyrja ishte ndaj diasporës shqiptare në pikën kufitare me Bosnjë-Hercegovinën. Ata kanë kaluar nëpër gjithë Evropën dhe vetëm policisë sonë (pra Policisë së Malit të Zi), i ka penguar flamuri shqiptar!”, u shpreh ai.

Reagimi i plotë:

Flamuri shqiptar nuk është kërcënim – ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Mali i Zi, si shtet demokratik dhe evropian, duhet të ketë të njëjtat standarde për të gjithë. Ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.

Nuk është mirë që të vazhdojnë standardet e dyfishta ndaj flamurit shqiptar nga ana e Policisë. Nuk ka pse të kenë frikë nga flamujt shqiptarë. Përkundrazi, duhet të respektohen qytetarët që e mbajnë atë.

Kemi qenë dëshmitarë të ndërhyrjeve edhe gjatë verës për shkak të flamurit shqiptar në dasma dhe festa, ndërsa mbrëmë ndërhyrja ishte ndaj diasporës shqiptare në pikën kufitare me Bosnjë-Hercegovinën. Ata kanë kaluar nëpër gjithë Evropën dhe vetëm policisë sonë (pra Policisë së Malit të Zi), i ka penguar flamuri shqiptar!

Në vend të përpjekjeve të tilla, bëj thirrje që të diskutojmë për rregulla më të mira dhe për respektimin e vazhdueshëm të asaj që u takon të gjithë popujve në Mal të Zi.

Dua t’ia kujtoj publikut se vendosja e flamurit shqiptar në Mal të Zi është në përputhje me ligjin dhe se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve ia ka dorëzuar simbolet kombëtare Kryetarit të Kuvendit në vitin 2021, më saktësisht më 28 janar 2021.

Kryetarit të Kuvendit, Aleksa Bečić, iu dorëzuan etalonet e stemës dhe flamurit, si dhe partitura e himnit të shqiptarëve në Mal të Zi. Delegacioni përbëhej nga Faik Nika, Lindon Gjelaj dhe Genci Nimanbegu.