Me 29 vota pro dhe 7 kundër u miratua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës projektvendimi i propozuar nga institucioni i qeverisjes vendore për disa shtesa dhe ndryshime në VKB-në nr.66, datë 25 qershor 2024 që lidhet me zonat e administrimit të parkimeve me pagesë si dhe tarifat respektive në rrugët dhe sheshet e qytetit bregdetar.
Ashtu si edhe dy vite më parë, kreu i grupit të këshilltarëve demokratë Ardian Muka deklaroi votën kundër, pasi iu referua deklaratës së bërë dy vite më parë se bashkia ende nuk është gati për këtë projekt. Në replikë me Mukën, këshilltarja socialiste Joniada Musaraj e konsideroi papërgjegjshmëri votën kundër të demokratëve.
Për të sqaruar detajimet e këtij projektvendimi, fjalën e mori kryebashkiakja Emiriana Sako e cila shpjegoi se projekvendimi i paraqitur në mbledhjen e sotme, detajon në mënyrë specifike metodikën për pajisjen e qytetarëve me kartën e rezidentit, abonenë për të punësuarit etj.
Në të njëjtën kohë, kryebashkiakja Emiriana Sako, tha se shtimi i numrit të policëve bashkiakë lidhet kryesisht me hyrjen në fuqi të projektit për vendparkimet me pagesë në rrugët dhe sheshet kryesore të qytetit.
Duke u ndalur tek problematika e ndjeshme e vendparkimeve në qytet, që prej vitesh nuk po gjen zgjidhje, por që bashkia synon ta lehtësojë me aplikimin e parkimeve me pagesë, Sako tha se në projekt në vitet në vijim është ndërtimi i dy parkimeve nëntokësore në zonën e Muzeut të Dëshmorëve dhe shëtitoren “Taulantia”.
M.B.





