40 persona janë vënë nën hetim në gjendje të lirë lidhur me një protestë të organizuar në fundjavën e kaluar në qarkun e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në segmentin rrugor Tiranë-Fushë Krujë teksa në vendin e quajtur Nikël banorët e zonës nuk kanë lejuar qarkullimin e mjeteve në të dy drejtimet. Për më shumë se 3 orë e 30 minuta asnjë automjet nuk ka qarkulluar në këtë aks duke vënë në lëvizje policinë e shtetit.

Sektori i policisë së qarkullimit rrugor e ka pasur të pamundur të ç’bllokojë situatën, pasi në këtë protestë kanë marrë pjesë jo vetëm djem e burra por edhe të moshuar, gra e fëmijë. Shumë prej tyre janë bërë tashmë objekt hetimi nga policia, e cila ka përpiluar dosjen penale dhe e ka përcjellë atë në prokurorinë e rrethit gjyqësor të Krujës.

Burime zyrtare të drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit bëjnë me dije se kemi të bëjmë me një protestë të klasifikuar si e paligjshme. Arsyeja që ka shtyrë banorët e Niklës në këtë tubim është konflikti me CEZ shpërndarje. Prej disa ditësh banorëve të komunës Nikël në Krujë u është ndërprerë në mënyrë kolektive furnizmi me energji elektrike. CEZ e ka arsyetuar masën drastike dhe ndëshkimin kolektiv me arsyen se shumë familje në këtë komunë janë debitor dhe nuk paguajnë prej shumë kohësh energjinë elektrike.

Por të këtij mendimi nuk kanë qenë vetë banorët. Këta të fundit në shenjë proteste dhe me libreza të KESH-it në duar kanë dalë në rrugë për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Në këtë protestë që ka përfunduar me bllokimin e rrugës nacionale Tiranë-Fushë Krujë kanë marrë pjesë banorë nga fshati Nikël, Zezë, Tapizë, Verjon, Fushë Prezë, Larushkë, Rinas, Mukaj dhe zonat përreth tyre. Protesta është provokuar pas indiferentizmit të CEZ lidhur me ankesat e banorëve.

Kompania çeke e shpërndarjes së energjisë ka refuzuar të tërhiqet nga masa e ndëshkimit kolektiv dhe kjo shkaktuar reaksionin e banorëve. Situata është përkeqësuar në kohën që policia është bërë palë me kompaninë CEZ shpërndarje duke acaruar banorët. Ata janë përpjekur të bindin policinë se e drejta është në anën e tyre, ndërsa policia e ka justifikuar vendimin për të liruar rrugën sa më parë me arsyen se protestuesit nuk kishin depozituar kërkesë dhe se një organizim i tillë ishte i paligjshëm.

Rreth orës 12. 30 protesta ka pushuar dhe banorët janë larguar qetësisht, ndërkohë që për gjatë gjithë kohës së tubimit ata kanë qenë të matur në deklarime e thirrje duke mos lëshuar akuza provokuese. Megjithatë qëndrimi për afro 4 orë në mes të rrugës duke mos lejuar kalimin në asnjë drejtim të mjeteve nuk ka kaluar pa u vënë re nga policia e cila ka dërguar në prokurori emrat e 40 personave si autorë të protestës së cilësuar prej tyre e paligjshme.

Në mesin e të akuzuarve ka edhe të moshuar siç është rasti i 80-vjeçarit me inicialet A. L. nga Verjon e Krujës apo i riu R.D 17 vjeç nga Nikël e Krujës. Në mesin e 40 të denoncurve nga policia ka edhe anëtarë familjeje dhe farë e fisi dhe ky lloj organizimi e ka shtyrë policinë të tregohet e ashpër. Prokuroria e rrethit Krujë i ka akuzuar banorët se kanë konsumuar veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, parashikuar nga nenet 262 dhe 293 të  Kodit Penal.

Nga ana tjetër po zyrtarisht është thënë se vijon puna hetimore për të implikuar edhe të tjerë persona në këtë ngjarje. Kjo është e para herë që për një protestë të këtij lloji procedohen penalisht një numër kaq i madh banorësh të cilët tashmë do të duhet të paguajnë avokat si dhe t’i kushtojnë jo pak vëmendje çështjes së ecurisë së gjyqit në përpjekje për të mbrojtur veten.