Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, e shoqëruar dhe nga kreu i njësisë administrative Serjan Mazrreku, ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së ish-Kënetës, të cilët kishin shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me infrastrukturën në disa rrugë të kësaj zone dhe problemin e kanalit.
Kryebashkiakja Sako deklaroi sot se shumë shpejt do të hartohen projektet për rikonstruksionin e katër rrugëve në këtë zonë me të gjithë infrastrukturën e nevojshme: asfaltim, ndriçim e gjelbërim dhe do të shihet mundësia e kryerjes së këtyre investimeve të mëdha me fondet e bashkisë por edhe me ndihmën e qeverisë shqiptare.
Po kështu, Sako deklaroi se po merren të gjitha masat dhe vijon puna për pastrimin e kanaleve në këtë zonë, punime që po kryhen nga ndërmarrja Rruga.
Në zonën e ish-Kënetës janë kryer investime të shumta thotë bashkia, megjithatë ka ende zona ku duhet të ndërhyhet. Sako deklaroi se janë marrë parasysh të gjitha shqetësimet e këtyre banorëve dhe në sajë të investimeve që do të kryhen së shpejti do të vendoset normaliteti edhe në këtë pjesë të ish-Kënetës.





