Sekretarja e shtetit në Michigan të SHBA, Jocelyn Benson deklaroi sot se demonstrues të armatosur ishin mbledhur jashtë shtëpisë së saj për të protestuar mbi pretendimet e manipulimit të zgjedhjeve.
Ajo deklaroi se dhjetra njerëz kishin ardhur mbrëmjen e të shtunës rreth shtëpisë, teksa ishte “duke bërë zbukurimet e Krishtlindjeve me të birin”.
Protestuesit kishin nisur të thërrisnin “Ndaloni vjedhjen!”, të ngjashme me ato që janë bërë nga presidenti aktual i SHBA, Donald Trump.
Por prokurori i përgjithshëm William Barr tha se nuk kishte prova për të mbështetur pretendimet.
Rrjeti britanik BBC shkruan se zonja Benson është një nga disa anëtarë të qeverisë që janë bërë objektiv i protestuesve pro-Trump në lidhje me zgjedhjet 2020.
Në një deklaratë të dielën, demokratja Benson, tha se protestuesit kishin bërë para shtëpisë së saj në Detroit kërkesa “të qarta, të zhurmshme e kërcënuese” për ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve në këtë shtet.
Michigan muajin që kaloi çertifikoi rezultatin e zgjedhjeve duke shpallur Joe Biden fitues të 16 votave elektorale të këtij shteti.
Një pjesë e demonstratës u transmetua direkt në Facebook.
“Ne nuk tërhiqemi, ne nuk heqim dorë, nuk i merrni dot këto zgjedhje nga një burrë që i ka fituar ato më rezultat 100%,” tha komentuesja Genevieve Peters, e cila kishte postuar videon.
Policia ishte përgjigjur ndaj thirrjes për trazirë publike dhe pak më vonë turma ishte shpërndarë. Asnjë arrestim nuk ishte bërë pasi zotërimi i armëve nuk është krim në Michigan, për sa kohë ajo me leje dhe jo e fshehur.
Prokurorja e Michigan, Dana Nessel e përshkroi incidentin si “sjellje djallëzore e maskuar si proteste”.