Protestuesit kanë mbërritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa menjëherë pas mbërritjes kanë djegur edhe flamurin serb q ëish varur në një prej shtyllave të bulevardit para kryeministrisë.

Ndërsa në shtyllat e tjera janë të varur edhe flamuj të tjerë serbë dhe maqedonas, por protestuesit kanë vendosur te djegin vetëm atë të Serbisë.

Sali Berisha ka thirrur sot një protestë kombëtare kundër mbërritjes së presidentit serb Aleksandër Vuçiç ditën e sotme, ftuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama në kuadër të iniciativës ‘Open Balkan’ ku deri më tani i janë bashkuar vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

I pranishëm në një takim 2 ditor në Shqipëri është dhe kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ndërsa sot 3 liderët do të darkojnë në Elbasan në kompleksin e biznesmenit Gjergj Luca. Kësaj darke jo formale do ti bashkohet dhe Aleks Soros, djali i miliarderit George Soros i atakuar dhe nga ish-kryeministri Berisha si një nga influencuesit kryesor për shpalljen e tij ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Protesta e sotme do të nisë nga selia blu për t’u zhvendosur më pas drejt Kryeministrisë ku do të flasin disa ish-funksionarë të PD-së. Mbi 2 mijë forca policore janë në gatishmëri për mbarëvajtjen e kësaj proteste, ndërsa janë marrë masa shtesë sigurie në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit’.